Analisti i sigurisë, Avni Islami, ka deklaruar se ndaj Kosovës po vazhdon një “luftë hibride” nga Serbia, veçanërisht në prag të zgjedhjeve nacionale. Sipas tij, retorika e politikës serbe është ashpërsuar paralelisht me afrimin e procesit zgjedhor në Kosovë. “Me shkas, vazhdon lufta hibride e Vuçiqit ndaj Kosovës. Sa më shumë që po afrohen zgjedhjet nacionale në Republikën e Kosovës, aq më e ashpër po bëhet retorika e politikës serbe, në krye me Vuçiqin, në raport me vendin tonë”, ka deklaruar ai. Islami ka pohuar se Serbia vazhdon ta mbështesë “Listën Serbe” me kapacitete shtetërore. “Edhe në të kaluarën, por edhe në këto zgjedhje, ata po e përkrahin ‘Listën Serbe’ me të gjithë kapacitetin shtetëror serb. Pra, dihet se ky subjekt politik ishte dhe mbetet ‘satelit’ i Vuçiqit për ta destabilizuar Kosovën”, ka thënë ai. Ai ka shtuar se, sipas tij, presioni po targeton edhe figurën politike Nenad Rashiq. “Vendi ynë po sulmohet edhe përmes goditjes që i bëhet Nenad Rashiqit, të cilin BIA serbe dhe politika aktuale e kanë marrë si shënjestër. Pra, strategjia e tyre në këto zgjedhje është e qartë: sulmo Rashiqin dhe përkrah ‘Listën Serbe’”, ka përfunduar Islami.